Sanksionet amerikane reduktojnë eksportet në Rusi – “Frikësohet” Turqia. Vetëm në muajin shkurt eksportet ranë me 33%
Vëllimi i dërgesave nga Turqia në Rusi u ul me 33 % në muajin shkurt, duke arritur në 670 milionë dollarë, krahasuar me 1 miliard dollarë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Në dy muajt e parë të këtij viti, eksportet turke drejt Rusisë arritën në 1.29 miliardë dollarë. Kjo është një rënie e ndjeshme nga më shumë se 2 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aktualisht, Rusia përbën vetëm 3.2 % të totalit të eksporteve të Turqisë. Në shkurt, Gjermania me 1.72 miliardë dollarë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1.33 miliardë dollarë, dolën si lider në këtë drejtim.
Importet nga Rusia në Turqi gjithashtu pësuan një rënie të mprehtë muajin e kaluar, duke rënë me më shumë se 1/3 – 36.65 % nga 2 miliardë dollarë në 1.3 miliardë dollarë.
Një tendencë e ngjashme u vu re në janar, kur eksportet turke drejt Rusisë ranë me 39 %, duke arritur në 631 milionë dollarë amerikanë, krahasuar me 1 miliard dollarë amerikanë në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ndërkohë, tregtia e mallrave të caktuara, përfshirë makineritë, ishte ndalur plotësisht.
Rënia e qarkullimit tregtar erdhi si pasojë e kërcënimit të sanksioneve dytësore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 22 dhjetor 2023, Presidenti i SHBA Joe Biden autorizoi Departamentin e Thesarit të SHBA-së për të vendosur kufizime ndaj institucioneve të huaja financiare që ndihmojnë transaksionet e shërbimit që përfshijnë individë të sanksionuar nga Rusia ose lehtësojnë furnizimin me pajisje për kompleksin ushtarak-industrial rus.
Pas kësaj, bankat në Turqi filluan të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me klientët nga Rusia për shkak të frikës së humbjes së aksesit në dollarin amerikan, i cili përbën pothuajse gjysmën e transaksioneve financiare në botë. Kjo situatë preku edhe eksportuesit rusë të naftës, të cilët nuk pranuan pagesat nga Ankaraja për fuçitë e shitura.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.