Gjykata Kushtetuese i jep ‘dritë jeshile’ marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Zbardhet vendimi
Gjykata Kushtetuese i ka hapur dritën jeshile vënies në jetë të marrëveshjes me Italinë për ngritjen e kampit në Gjadër të Lezhës ku do të priten emigrantët afrikanë. Ky institucion ka zbardhur vendimin ku theksohet se protokolli për Migracionin ofron mbrojtje juridiksionale, nuk sjell kufizim të të drejtave të njeriut, duke i hapur kështu rrugë miratimit të kësaj marrëveshje në Kuvend në seancën e së enjtes (22 shkurt).
“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi. Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.
Vendimi vjen si përgjigje e kërkesës së një grupi prej 30 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kërkuan deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë të kësaj marrëveshjeje dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e saj.
Protokolli i bashkëpunimit me Italinë u nënshkrua në fillim të muajit nëntor dhe në fund të vitit të kaluar u ratifikua nga parlamenti italian.
Marrëveshja parashikon ngritjen e një kampi refugjatësh në Gjadër të Lezhës për emigrantët që tentojnë të shkojnë në Itali. Me shpenzimet e Italisë, në këtë kamp parashikohet të vendosen 3 mijë emigrantë.
Vendimi i plote: https://www.gjk.gov.al/templates/NEModules/kerkese_list/konsulto.php?id_kerkesa_vendimi=3990&language=Lng1
Elisabeta Dosku/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.