Gjykatësi anulon shpërblimin 56 mld USD për Musk – Investitorët kishin denoncuar shumën si të tepërt dhe jotransparente
Një gjykatës në Delaware anuloi paketën e pagesave rekord të Elon Musk prej 56 miliardë dollarësh në Tesla, duke e quajtur shpërblimin e dhënë nga bordi i prodhuesit të automjeteve elektrike ‘një shumë të pamatur’ që ishte e padrejtë për aksionerët.
Aksionet e Tesla-s ranë rreth 3% dhe disa investitorë e shohin vendimin me shpresën se mund ta shtyjë Tesla-n të riparojë drejtimin e saj. Bordi i Tesla-s është kritikuar se ka dështuar të sigurojë mbikëqyrjen e shefit ekzekutiv të saj, i cili ka luftuar rregullatorët dhe ka udhëhequr disa kompani të tjera në të njëjtën kohë.
Vendimi, i cili mund të apelohet, anulon paketën më të madhe të pagave në korporatat në vend. Gjykatësi zbuloi se kompensimi i bazuar në aksione ishte negociuar nga drejtorët që u shfaqën si mbështetës të Musk, i cili aktualisht renditet nga revista Forbes si personi i dytë më i pasur në botë.
Gjykata udhëzoi aksionerin e Tesla-s, i cili kundërshtoi planin e pagave, të punonte me ekipin ligjor të Musk me një urdhër për zbatimin e vendimit. Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të Delaware pasi palët të bien dakord për një urdhër përfundimtar dhe për tarifat për avokatët e aksionarëve, të cilat do të paguhen nga Tesla.
Vendimi vjen pasi Tesla paralajmëroi për ngadalësim të rritjes dhe industria e automjeteve elektrike po rivlerëson kërkesën. Tesla është bërë prodhuesi më i madh makinave në botë nën drejtimin e Musk, por shumica e kësaj vlere bazohet në pritshmëritë për përparime të ardhshme, të tilla si robotaksi vetë-drejtues. Në reagimin e tij ndaj vendimit, Musk apeloi në platformën X që askush të mos vendoste kompanitë e tij në shtetin e Delaware.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.