Kërkesa globale për ar bie me 5% në 2023 – Parashikohet rritje në 2024, për shkak të konflikteve dhe tensioneve tregtare
Kërkesa globale për ar, duke përjashtuar “tregtimin mbi banak” ose “over-the-counter” (OTC) ra me 5% në totalin e 4,448.4 ton në vitin 2023, por gjithsesi mbeti e fortë krahasuar me mesataren 10-vjeçare për shkak të pasigurive gjeopolitike dhe ekonomike, njoftoi Këshilli Botëror i Arit.
Një treg mbi banak (OTC) është një treg dytësor që nuk ka rregullore ku investitorët bien dakord për transaksionet e tyre nëpërmjet netimit dhe marrëveshjeve të kolateralit me palën tjetër. Sipas Këshillit, konfliktet e vazhdueshme, tensionet tregtare dhe mbi 60 palë zgjedhje anëmbanë botës në 2024 pritet ta mbështesin kërkesën për metalin e verdhë, gjatë këtij viti dhe të kompensojnë një goditje të mundshme në blerjet e bizhuterive, për shkak të çmimeve të larta dhe ngadalësimit ekonomik.
Duke përfshirë edhe kërkesën nga tregjet mbi banak (OTC) dhe burime të tjera, kërkesa totale për ar u rrit me 3% vitin e kaluar, në një rekord të ri prej 4,898.8 ton. Rritja e kërkesës bëri që edhe çmimi i arit të regjistronte një nivel mesatar rekord prej 1,940 dollarë për onz.
Në dhjetor të vitit të kaluar, metali i verdhë u rrit në nivelin më të lartë në histori prej 2,135.4 dollarë për onz, ndërsa ka qëndruar mbi nivelin psikologjik të 2,000 dollarëve edhe gjatë këtij viti. Sipas një sondazhi të Reuters, ari pritet të ketë një çmim mesatar prej 2,053.5 dollarë, gjatë 2024-ës.
Ndërsa blerjet nga bankat qendrore ishin me një ritëm të shpejtë në vitin 2022, kërkesa nga ky sektor arriti në 1,037.4 ton në 2023, në rënie vjetore me 4%. Blerjet nga bankat qendrore pritet të ngadalësohen me rreth 200 tonë në vitin 2024, por mbeten më të larta se para vitit 2022.
Ndërkohë, blerja e shufrave dhe monedhave të arit ra me 3%, pasi kërkesa në Europë u ngadalësua, ndërsa flukset dalëse nga Fondet e Tregtuara në Bursë (ETF), që e ruajnë metalin e verdhë për investitorët, vazhduan për të tretin vit radhazi me 244.4 ton rënie.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.