Grekët, me karta bankare për transportin publik – Në Athinë do të përdoren vetëm kartat e kreditit dhe celularët “smart”
Në Greqi është nënshkruat kontrata për përmirësimin teknologjik të Sistemit Automatik të Grumbullimit të Taksave – ATSC ndërmjet Organizatës së Transportit Urban të Athinës – OASA dhe kontraktorit të projektit HST AE. Përmirësimi i këtij sistemi do t’i hapë rrugën përdorimit të kartave bankare dhe aplikacioneve të telefonisë celulare kur udhëtohet me mjetet e transportit publik nën autoritetin e OASA-s: metro, tramvaj dhe autobusë.
Domethënë, pasagjerët do të mund të hapin portat e transportit publik me një biletë… kartën e tyre të debitit-kreditit, edhe nëse është e integruar, nëpërmjet një aplikacioni, në celularin e tyre. Sistemi në fjalë tashmë do të ketë mundësinë të analizojë të dhënat e lëvizjes së çdo pasagjeri, ndërsa tarifa e kartës së tyre bankare do të jetë proporcionale me itineraret që kanë ndërmarrë, sipas paketës ekonomike më të lirë të OASA-s. Megjithatë, kjo procedurë specifike do të kërkojë lejen e Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Faza e parë e zbatimit të projektit do të nisë nga automjetet e linjave të autobusëve Express të aeroportit “Eleftherios Venizelos”, deri në fund të marsit të ardhshëm, ndërsa të gjitha aplikimet do të jenë në dispozicion të pasagjerëve deri në fund të vitit 2024.
Funksioni i ri “smart” pritet të ulë kostot operative të OASA-s, për shkak të kufizimit të përdorimit të biletës prej letre, e cila edhe pse ofron mundësinë e rimbushjes, zakonisht “përgjohet” dhe hidhet nga pasagjerët. Sot, kostoja e OASA-s për nxjerrjen e biletave në letër shkon afërsisht 5 milionë euro në vit.
Bileta elektronike e OASA do të bëhet edhe më “inteligjente”, duke i hapur rrugën Athinës për të hyrë në epokën e ‘Mobility as a Service’ – Lëvizshmëria si shërbim, e cila do të lejojë ndërlidhjen me aplikacione të tjera të lëvizshmërisë, si p.sh. të taksive, marrjes me qira të biçikletave elektronike, kompanive ajrore dhe trageteve, etj.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.