Greqia do të dalë nga korniza e ‘mbikëqyrjes së zgjeruar’ të BE-së pas 12 vjetësh!

Greqia do të dalë nga e ashtuquajtura korniza e zgjeruar e mbikëqyrjes së Bashkimit Europian më 20 gusht, tha të mërkurën ministri i saj i financave, një veprim që do t’i lejojë vendit liri më të madhe në bërjen e politikave ekonomike.
Zhvillimet dhe politikat ekonomike greke janë monitoruar në kuadër të kornizës që nga viti 2018, pasi Athina doli nga tre paketat ndërkombëtare të shpëtimit, me një total prej më shumë se 260 miliardë eurosh, nga Bashkimi Europian dhe FMN midis 2010 dhe 2015.
“Pas 12 vitesh … një kapitull i vështirë për vendin tonë përfundon”, tha ministri, Christos Staikouras. “Greqia i kthehet normalitetit europian dhe nuk do të jetë më përjashtim në eurozonë”.
Athina ka përmbushur pjesën më të madhe të angazhimeve të politikave dhe reformave që premtoi dhe dalja e saj më 20 gusht nga korniza u konfirmua nga një letër nga nënpresidenti i Komisionit të BE Valdis Dombrovskis dhe komisioneri i ekonomisë Paolo Gentiloni, shtoi ai.
Dalja e Greqisë nga mbikëqyrja e zgjeruar do të nënkuptojë më shumë shkallë lirie në zbatimin e politikës ekonomike dhe do të afrojë objektivin e vendit për të rifituar statusin e “notës së investimit”, tha Staikouras.
Që nga dalja nga paketat e shpëtimit në vitin 2018, Greqia është mbështetur vetëm në tregje për nevojat e saj financiare.
Kuadri i mbikëqyrjes kishte për qëllim të siguronte miratimin e vazhdueshëm të masave për të trajtuar burimet e mundshme të vështirësive ekonomike dhe reformat strukturore për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.