Greqia miraton ligjin e parë për klimën – Athina zotohet të ndërpresë varësinë ndaj lëndëve djegëse fosile
Greqia miratoi ligjin e parë për klimën, i cili përmban objektiva specifike për të luftuar ndryshimet klimatike si dhe heqjen dorë nga qymyri për prodhimin e energjisë brenda vitit 2028. Por ky objektiv mund të arrihet dhe më shpejtë – në 2025-ën – nëse sigurohen furnizimet.
Ligji përcakton objektiva të tjera për vendin i cili synon reduktimin e emetimeve me 55% deri në 2030 dhe me 80% deri në 2040, për të arritur në nivelin zero të emetimeve brenda 2050-ës. Ministri grek i energjisë, Kostas Skrekas tha se kjo është një çështje ekzistenciale, shumë e rëndësishme, pasi ka të bëjë me jetët e njerëzve dhe fëmijëve. Sipas tij kjo jo vetëm do të mbrojë klimën por do të ndihmojë në sigurinë energjetike të vendit.
Greqia po planifikon investime deri në 10 miliard euro për të zgjeruar rrjetin e energjisë brenda vitit 2030, ndërkohë që po përshpejton dhe zhvillimin e energjisë së rinovueshme, për të dyfishuar sasinë dhe peshën e saj në prodhimin e elektricitetit. Vendi si shumë të tjerë, po përjeton krizën e rritjes së çmimeve të gazit, energjisë elektrike, karburanteve dhe ushqimeve si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.
Qeveria greke ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike dhe të gazit si dhe ka ofruar një grant për shtresën e cenueshme të popullsisë për një kosto prej 4.29 miliard dollarë që nga viti i kaluar.
Si pjesë e një pakete shtesë me vlerë 3.2 miliardë euro, ligji parashikon që Greqia të mbulojë një pjesë të madhe të rritjeve të çmimeve që familjet kanë parë në faturat e tyre të energjisë nga dhjetori i 2021-shit deri në fund të majit.
Greenpeace tha se legjislacioni ishte një hap i vogël drejt neutralitetit të klimës dhe se i mungonte një strategji për t’i mundësuar Greqisë të largohej nga karburantet fosile në mënyrë të shpejtë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.