Hap dyert “shtëpia” e biznesit – Rama: Hallkë për të adresuar problemet e sipërmarrjes. Fasonët në krizë, jo si pasojë e euros
Shtëpia e Biznesit, si strukturë në shërbim të dialogut mes qeverisë dhe biznesit, ka hapur dyert. E pozicionuar në një prej kubave të Piramidës, në këtë strukturë do të ketë persona të posaçëm, për të mbledhur problemet e biznesit dhe për t’i adresuar ato nëpërmjet institucioneve shtetërore.
“Unë kam besuar dhe besoj që të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin, e përsëris, çdo problem dhe e nënvijëzoj, çdo problem që është nga ato situatat e papëlqyeshme të përballjes me një interpretim të gabuar të administratës apo të përballjes me një person apo me një grup personash që shfrytëzojnë të qenit në funksionin publik për të penguar punën me qëllim që të marrin mbrapsht ryshfetin e tyre”, u shpreh Rama.
Rama u ndal edhe te sektori fason, që aktualisht po kalon vështirësi si pasojë e kursit të këmbimit, por sipas tij fabrikat duhet të adaptohen me tregun dhe të rrisin pagat, duke përjashtuar mundësinë e mbështetjes nga buxheti i shtetit.
“Kjo ditë nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar. Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë”, tha kryeministri.
Ndërkaq, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra biznesi duhet të ndërgjegjësohet mbi sfidat që sjell integrimi Europian.
Kryeministri Rama paralajmëroi një takim me përfaqësues të biznesit fason javën e ardhshme.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.