Hapet thirrja për mbështetjen StartUp-eve / Aplikimet nga 16 Maji, hapat që duhet të ndjekin aplikantët
Çdo individ që ka një ide inovative për të ngritur një StartUp do të mund ta kthejë atë në realitet përmes financimeve te qeverisë. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, njofton se aplikimet hapen më datën 16 Maj dhe të interesuarit do të mund të konkurrojnë me idenë e tyre deri më 5 Qershor. Por cilat janë hapat për tu bërë fitues i mundshëm i një granti start-up apo lehtësuesi?
Fillimisht individët e interesuar vetëdeklarohen si startup ose lehtësues në portalin e-Albania. Më pas pajisen me pasaportën e startup-it apo lehtësuesit. Hapi i tretë është aplikimi në ëebsiten e Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ku dhe behën me dije kriteret dhe mënyra e aplikimit. Tre do të jenë kategoritë e aplikimeve. Start-up et që janë ende të paregjistruara do të përfitojnë 1.5 milionë lekë grant.
Startup-et që janë në fazë zhvillimi dhe që kanë deri në një vit operim aktiviteti, do të përfitojnë 3 milionë lekë në formë granti dhe StartUp-et që kanë nga 1 vit deri në 5 vjet të regjistruara do të përfitojnë 5 milionë lekë grant. Dhe në fund, pas dy javëve nga përfundimi i afatit të aplikimeve, shpallen fituesit e ideve më të mira inovative që do të mbështeten. Kjo iniciativë përveç se sjell inovacion ndihmon edhe në vetëpunësimin e shumë individëve dhe nxitjen e punësimit në palët e treta.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.