Importuam 67 milionë euro drithra në 8 muaj – Gruri, misri dhe orizi, me konsumin më të lartë nga qytetarët shqiptarë
Në 8 muajt e parë të vitit, vendi ynë ka importuar rreth 156.4 mijë ton drithra nga jashtë kufijve me një vlerë totale prej 7.8 miliardë lekësh apo e përkthyer në valutë, rreth 67 milionë euro.
Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të siguruara nga SCAN TV, janë 7 llojë drithrash kryesore me tw cilat furnizohemi nga jashtë, ku në vendin e part për nga sasia dhe vlera qendron gruri, në 102.5 mijë ton të importuara, me një vlerë prej 4.7 miliardë lekësh.
Dihet tashmë që gruri është edhe një ndër drithrat kryesore të prodhimit të bukës por edhe të nënprodukteve të tjera dhe që preferohet më së shumti nga konsumatorët shqiptarë. Në vendin e dytë renditet mistri, ku gjatë 8 muajve janë importuar 36.4 mijë tonë me një vlerë prej 1.7 miliardë lekësh. Po ashtu një volum të lartë importesh ka edhe orizi, në 14.6 mijë ton me një vlerë që regjistrohet në 1.3 miliardë lekë. Këto janë tre drithrat kryesore të blera nga jashtë kufijve.
Ndërsa në sasi dhe vlerë më të ulët, është importuar elb, tërëshërë, thekër dhe quinoa. Kultivimi i drithrave në vendin tonë nuk ka pasur mbështetjen e politikave qeveritare, çka ka bërë që për shkak edhe të kostove të larta, interesi i fermerëve të bjerë.
Së fundmi, ministria e Bujqësisë ndërmori politikën mbështese për fermerët përmes subvencionimit me 30 mijë lekë për hektarë për kultivimin e grurit, iniciativë që parashikohet të rrisë prodhimin ne afro 20 për qind. Aplikimet për fermerët pwrmes portalit e-albania do të jenë të hapura nga data 1 deri më 23 shtator.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.