Inflacioni në SHBA rrëzon dollarin – Ngadalësohet në 4% për majin. Investitorët presin takimin e FED
Dollari amerikan po qëndron në rënie të lehtë edhe në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 3 javët e fundit, pasi të dhënat e publikuar të martën në SHBA treguan se inflacioni u rrit me hapin më të ngadaltë në 2 vitet e fundit, gjatë majit. Këto të dhëna kanë shtuar mundësitë që Rezerva Federale të mos ndryshojë normën bazë të interesit në takimin që përfundon sot.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.3, ndërsa në sesionin e kaluar preku nivelin më të ulët që nga 22 maji, prej 103. Referuar të dhënave zyrtare, inflacioni në SHBA u rrit me vetëm 0.1% me bazë mujore dhe me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Euro po këmbehet në rreth 1.0780, ndërsa analistët parashikojnë se në takimin e së enjtes, Banka Qendrore Europiane do të rrisë normën bazë të interesit edhe me 25 pikë bazë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 25,900 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1740 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.