Infrastruktura rrugore, kreu i ARRSH, Evis Berberi shpjegon projektet e mëdha të 2024
Puna në projektet e mëdha rrugore në Shqipëri po ecën me shpejtësi. Drejtori i Autoritetit Rrugor, Evis Berberi tha për emisionin “Ekopuls” në SCAN se dy korridoret e mëdha, Korridori Blu dhe Korridori i Tetë po shkojnë drejt fazës së përfundimit të plotë të tenderimit për të vijuar më pas me ndërtimin e plotë
“Korridori Blu fillon nga Muriqani dhe përfundon në Kakavie. Sot ne kemi 4 kontrata të nënshkruara dhe presim të nënshkruajmë, duke filluar nga Milot-Thumana, Thumanë-Kashari që dorëzohet në qershor, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.
Presim të hapim garën për Milot-Balldren dhe jemi në fazën e projektimit për segmentin nga Balldreni në Muriqan. Pra politika e qeverisë është që dy arteriet kryesore të Shqipërisë, Korridori Adriatiko-Jonian dhe Korridori, 8 ta kemi në funksionim sa më shpejt që të jetë e mundur” tha Berberi.
Edhe në kryeqytet po investohet dhe punohet me ritme të larta. Sipas kreut të Autoritetit Rrugor, Unaza e Madhe e Tiranës përfundon brenda vitit.
Një projekt tjetër që pritet të mbarojë së shpejti është edhe Tuneli i Llogarasë. Ndonëse në kontratë afati i përfundimit është shtatori tuneli përfundon dhe vihet në punë në fund të qershorit të këtij viti.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.