Investitorët preferojnë asetet me risk, bie dollari – Tregjet, në pritje të të dhënave mbi punësimin në SHBA
Dollari amerikan është zhvlerësuar ndjeshëm në enjten, ndërsa po qëndron në rënie edhe në sesionin e fundit të javës. Ndjenja pozitive në tregje është përmirësuar nga fitimet solide të sektorit të teknoligjisë në Wall Street, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi punësimin në SHBA, që do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.
Përpara publikimit të këtyre të dhënave, monedha e gjelbër ra me 0.5%, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare. Indeksi i dollarit ka zbritur pranë 103 dhe pritet të realizojë humbjet e para javore për këtë vit.
Rritja e oreksit për asete me risk ndihmoi dollarin australian të rritet me rreth 0.2% përballë dollarit amerikan. Tregjet vlerësojnë tashmë rreth 38% shanse që Rezerva Federale të ulë normat e interesit në mars, krahasuar me rreth 70% një muaj më parë.
Analistët presin të paktën tre ulje të interesave gjatë vitit 2024, ndërsa e para mund të vijë në mes të këtij viti. Ndërkohë, edhe paundi britanik është forcuar ndjeshëm në raport me dollarin dhe po tregtohet në rreth 1.2750 dollarë.
Banka e Anglisë e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në 5.25%, niveli më i lartë në 16 vitet e fundit, por e la mundësinë e hapur për uljen e interesave nëse inflacioni bie pranë objektivit. Edhe euro i është afruar sërish nivelit të 1.09 dollarëve, duke u rimëkëmbur nga niveli më i ulët në 7 javët e fundit, të regjistruar të mërkurën. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është rritur ndjeshëm drejt 43,000 dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 2,315 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.