Italia largohet nga “Rruga e Mëndafshit” – Kryeministrja Meloni përgatit braktisjen e nismës kineze
Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, qeveria italiane është në favor të tërheqjes nga iniciativa e Kinës “Belt and Road”.
Kryeministrja Georgia Meloni ia shprehu këtë objektiv kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy – gjatë vizitës së tij në Romë javën e kaluar – megjithëse nuk është marrë një vendim përfundimtar. Një zëdhënës i Melonit nuk pranoi të komentonte, ndërsa zyra e McCarthy nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Italia iu bashkua nismës së infrastrukturës së Kinës në 2019 – ën në kohën kur kryeministër i vendit ishte Giuseppe Conte, duke u bërë i vetmi vend i G7- ës që merr pjesë. Anëtarësimi do të rinovohet automatikisht në vitin 2024 nëse Roma nuk tërhiqet.
SHBA-ja e ka shtyrë në mënyrë aktive Romën të marrë një qëndrim publik për këtë çështje dhe të braktisë marrëveshjen.
Këshilltarët e Melonit janë ende duke diskutuar detajet dhe kohën e një vendimi të mundshëm, nga frika e ‘hakmarrjes’ ekonomike nga Kina dhe asgjë nuk do të dihet përpara fillimit të samitit të liderëve të G7 në Hiroshima, Japoni, më 19 maj, raporton Bloomberg.
Lëvizja e mundshme është e lidhur ngushtë me qëndrimin e Melonit ndaj investimeve kineze në Itali dhe në veçanti me një vendim të afërt për të kufizuar potencialisht ndikimin e Sinochem Holdings të Kinës, aksioneri më i madh i prodhuesit të gomave Pirelli. Ky vendim është shtyrë për në fund të muajit maj.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.