KEK – Rama: 2023 viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte / Ibrahimaj: Strukturë e posaçme, do të shërbejë si pikë takimi e sekretariateve teknike
Këshilli Ekonomik Kombëtar ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, i cili e sheh dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një nga rrugët më efikase për të rritur bashkëpunimin e për të ndërmarrë politika në ekonomi dhe biznes.
“Këshilli është një instrument për të adresuar bashkërisht problemet, për të diskutuar për mënyrën si duhet t’i qasemi sfidave dhe për të ndërvepruar me sektorin privat dhe institucionet e tjera të pavarura në mënyrë që procesi i rritjes të jetë proces që të shfrytëzojë sa më shumë nga potenciali i Shqipërisë dhe mundësitë ende të pashfrytëzuara që kemi”, tha Rama.
“Kemi arsye për tu ndjerë optimist për të nesërmen dhe arsye të qenësishme për të reflektuar mbi gjërat që duhen bërë më mirë ose që mbeten për tu bërë, në mënyrë që edhe viti ku jemi dhe 2025-a të vazhdojnë të na japin progresin e 2023-shit. Është diçka që e thonë të gjithë, që vitit 2023 ishte i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri. Duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove, duke bërë që numri i turistëve të jetë më shumë se 3-fishi i popullsisë rezidente në Shqipëri. Duke bërë që e gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë të reflektohet dhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë në 10.5%”, u shpreh kryeministri.
“2023-shi ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte dhe po ashtu dhe një vit që na dha progres të mëtejshëm në hapjen e ekonomisë sonë në rajon dhe më gjerë, me eksporte të rritura dhe interes të rritur të investitorëve të huaj sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri”, tha Rama.
Gjatë mbledhjes, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj komunikoi edhe risinë e ngritjes së Shtëpisë së Biznesit, një strukturë e posaçme, që do të shërbejë ndër të tjera edhe si pikë takimi e sekretariateve teknike që do të krijohen në vijim.
“Shtëpia e Biznesit, e cila ndodhet në krah të Kryeministrisë, në një nga kubat e piramidës do të shërbejë si një shtëpi, ku ne, jo vetëm do të mirëpresim bizneset për adresimin e problematikave të tyre, por do të shërbejë edhe si vend për takime të përjavshme të sekretariateve teknike që do të ngrihen në vijim të Këshillit Ekonomik Kombëtar”, u shpreh Ibrahimaj.
“Ky besoj është vetëm fillimi i një strategjie të ndërveprimit dhe të komunikimit dhe harmonizimit të iniciativave ligjore dhe nënligjore që qeveria do të marrë në vijim me qëllim marrjen e dijes që gjendet në të gjitha bizneset që ju drejtoni dhe në të gjitha shoqatat që ju drejtoni. Ne do të mund të krijojmë një platformë model të partneritetit publik, privat me qëllim mirëqeverisjen dhe marrjen e vendimeve të duhura për nxitjen e zhvillimit ekonomik”, shtoi ajo.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.