“Konkurrenca të monitorojë tregjet specifike” – Kërkesat e Kuvendit për Autoritetin. Në fokus telefonia celulare, spitalet private, etj.
Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës që gjatë vitit në vijim të shtojë monitorimet në disa sektorë specifike. Sipas projektrezolutës, që pritet të miratohet në seancë plenare, Autoriteti i Konkurrencës duhet të veprojë në kohën e duhur dhe me gjithë forcën e ligjit për ndëshkimin e operatorëve të tregut me sjellje të përsëritur në shkelje të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit.
Një vëmendje e shtuar kërkohet në tregun e telefonisë celulare, për shkak të sjelljes së ndërmarrjeve të prekura nga transaksioni i përqendrimit në kushtet kur struktura e tregut ka ndryshuar tërësisht.
Gjithashtu, Kuvendi kërkon që Autoriteti i Konkurrencës të ndjekë përmbushjen e rekomandimeve të dhëna në tregjet e monitoruara apo hetuara gjatë vitit 2022, si dhe të vlerësojë rast pas rasti sjelljen e ndërmarrjeve, që gëzojnë pozitë dominuese nëpërmjet marrëveshjeve koncesionare në fuqi apo atyre të rejave.
Gjatë viteve të fundit një zhvillim të konsiderueshëm ka regjistruar edhe tregu i shërbimit spitalor privat, për të cilin duhet ndërmarrë një procedurë monitorimi apo hetimi, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg, në kushtet e ndryshimeve të pronësisë së spitaleve private.
Në vëmendje të deputetëve janë edhe tregjet e ushqimeve, ku konsumatorët vijojnë të përballen me çmime të kripura. Si rrjedhojë, Autoritetit I kërkohet të mbikëqyrë me prioritet dhe të dalë me rekomandime konkrete për tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit si: tregu i prodhimit të qumështit dhe nënproduktet e tij, tregu i ushqimeve dhe sidomos artikujt bazë të shportës, tregu i karburanteve, tregu i materialeve të ndërtimit, etj.
Ndërkohë, përsa i përket tenderëve, kërkohet rritje e bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit Publik për raportimin e rasteve të dyshuara në shkelje të konkurrencës dhe të jetë më proaktive në zbulimin e marrëveshjeve të ndaluara.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.