Konsumatorët blejnë më pak dhe më shtrenjtë – Reduktohen blerjet e veshjeve dhe pajisjeve elektroshtëpiake
Sipas të dhënave të NielsenIQ, vlera e shitjeve në supermarkete, u rrit në gjysmën e parë të 2023 me 8.7%, por kjo rritje erdhi si pasojë e inflacionit, pasi vëllimi i shitjeve ra në të njëjtën kohë me 2.5%.
Totali i “faturës” që është paguar në gjysmën e parë të vitit për supermarketet ishte 6.28 miliardë euro, ndërkohë që periudhën korresponduese të vitit 2022, vit në të cilin pati edhe presione të forta inflacioniste, veçanërisht nga muaji mars e në vazhdim, për të blerë më shumë produkte u paguan 5.77 miliardë euro.
Vlen të theksohet se megjithëse çmimet po rriten me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022 – 13.5% rritje e çmimit për njësi krahasuar me tremujorin e katërt 2021, norma e rritjes dyshifrore është ruajtur, e cila u formua në 11.1% midis prillit dhe qershorit 2023.
Xhiroja në ushqime dhe pije u rrit me 8.9% në gjysmën e parë të 2023, duke arritur në afërsisht 3.39 miliardë euro, ndërsa përqindja më e madhe e rritjes së xhiros është shënuar nga kategoria e mallrave shtëpiake, 10.6%, në 590 milionë euro nga 533 milionë euro në periudhën korresponduese të vitit 2022.
Xhiroja e artikujve të shëndetit dhe bukurisë personale u rrit me 7.8%, xhiroja e produkteve të freskëta me shumicë me 9.2%, në 1.51 miliardë euro nga 1.390 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit 2022, ndërsa rritja më e vogël, 2.7% u shënua në kategoria e artikujve të pazarit (veshje, këpucë, elektroshtëpiake, lodra), kryesisht për faktin se konsumatorët reduktojnë këto blerje për të përballuar rritjen e kostos së blerjes së ushqimeve.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.