Kooperativat e energjisë, gati ligji – I hapet rruga bashkimit të prodhuesve nga dielli, era dhe uji. Akses në tregjet e energjisë
Prodhuesit e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, sikurse është dielli, era apo uji mund të bashkohen me njëri-tjetrin, duke krijuar “kooperativa energjetike”. Gjithçka përcaktohet në pr.ligjin e ri “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të rinovueshme”, që tashmë është depozituar në Kuvend për diskutim.
Sipas dokumentit, një komunitet i energjisë së rinovueshme ka të drejtë jo vetëm të prodhojë, por edhe të konsumojë, të depozitojë, të ndajë, të shesë energji të rinovueshme dhe të ofrojë agregim, duke përfshirë edhe marrëveshjet e shitblerjes së energjisë. Po ashtu, kooperativa energjetike do të ketë akses në të gjitha tregjet e përshtatshme të energjisë, drejtpërdrejt ose përmes agregimit, në mënyrë jodiskriminuese.
“Komuniteti i Energjisë së Rinovueshme” është një entitet juridik që bazohet në pjesëmarrjen e hapur dhe vullnetare, është i pavarur dhe kontrollohet efektivisht nga aksionerët ose anëtarët që ndodhen në afërsi të projekteve të energjisë së rinovueshme, të cilat janë në pronësi dhe janë zhvilluar prej tyre.
Ndërkohë që, përveç individëve, aksionerë mund të jenë edhe ndërmarrjet e vogla apo të mesme, si dhe autoritetet lokale, duke përfshirë bashkitë. Qëllimi kryesor i kooperativës së energjisë është të sigurojë përfitime mjedisore, ekonomike ose sociale, për aksionerët, anëtarët e saj ose për zonat lokale ku operon, në vend të fitimeve financiare.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.