Korrupsioni, Shqipëria përmirësohet me 1 pikë – TI: Përparimi varet nga autonomia e kuvendit dhe liria e medias
Shqipëria është përmirësuar me një pikë, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022. Vendi ynë regjistron 37 pikë dhe renditet në vendin e 98, mes 180 kombeve të marra në analizë nga Transparency International.
Në raport thuhet se Shqipëria (37 pikë) po përmirëson të dhënat e saj me hetimin dhe ndjekjen penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë, por përparimi më i madh varet nga forcimi i legjislacionit të drejtësisë penale.
“Vendimi për krijimin e një ministrie të re të ngarkuar me aktivitetet kundër korrupsionit, duhet të shoqërohet me pritshmëritë për mekanizma efektivë të integritetit. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë, ndërsa organizatat e shoqërisë civile dhe mediat të mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa u penguar nga autoritetet”, thuhet në raportin e Transparency International për Shqipërinë.
Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet më mirë me 1 dhe 2 pikë respektivisht, se Serbia (36 pikë) dhe Bosnje Hercegovina (35 pikë), por radhitet më poshtë se Kosova (41 pikë), Maqedonia e Veriut (42 pikë) dhe Mali i Zi (46 pikë). Është pikërisht Mali i Zi që mban vendin e parë në Ballkanin Perndimor, duke grumbulluar 46 pikë dhe renditet në vendin e 63-të në botë. Sipas organizatës, gjatë vitit 2023, shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.
Transparency International thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta korrupsioni. Rajoni i Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku bën pjesë Shqipëria, ka rezultate shqetësuese me një mesatare prej 35 pikësh nga maksimumi prej 100 pikësh, rezultati i dytë më i dobët sipas rajoneve, pas Afrikës Nën Sahariane.
Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht. Somalia me 11 pikë, Venezuela, Siria, Sudani i Jugut me 13 pikë dhe Jemeni me 16 pikë mbajnë vendet e fundit në renditjen e këtij indeksi.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.