Kredi 49 milionë dollarë për Qukës–Qafë Plloçë – Firmoset huaja me Fondin Saudit për Zhvillim, Ibrahimaj: Rruga, me 2 korsi!

Qeveria shqiptare ka marrë një tjetër borxh për segmentin rrugor Qukës-Qafë-Plloçë, që është një prej akseve më të zvarritur në drejtim të mbylljes së punimeve.
Me një vlerë prej 49 mln USD, marrëveshja e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila tha se ndërtimi i këtij aksi do të ndikojë në zhvillimin e tregtisë dhe turizmit.
Ndërkaq, sipas përfaqësuesit të Fondit Saudit për Zhvillim nga ndërtimi i kësaj rruge do të përfitojnë 600 mijë banorë.
Aksi rrugor Qukës –Qafë Plloçë është projektuar që në vitin 2010, por ai është ende larg mbylljes së punimeve.
Në shtator të vitit 2020 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se për përfundimin e saj nevojiten edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III, ndërkohë që nga aprovimi i fondit do të duheshin edhe 22 muaj për të dorëzuar veprën.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.