Kursi “rebelon” eksportuesit, 100 mln euro humbje – “Kompensim në nivelin 15 %, ose protesta masive”
Mbiçmimi i lekut në raport me monedhën europiane euro, i ka kushtuar eksportuesve dhe ekonomisë shqiptare afro 100 milionë euro të humbura në 6 muaj. Shifra është dhënë nga shoqatat eksportuese, të cilat shprehen se kjo situatë i ka çuar në limitet e ekzistencës së tyre. Për këtë arsye, eksportuesit kërkojnë nga qeveria kompensim të menjëhershëm të të ardhurave të munguara deri në nivelin 15 %.
Një tjetër propozim lidhet me një kurs këmbimi fiks dhe në rast të mosgjetjes së zgjidhjes nga ana e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, paralajmërohen protesta masive.
Sipas eksportuesve, kjo situatë nuk prek vetëm bizneset që ushtrojnë aktivitet në këto industri, por mijëra individë të punësuar.
Euro ka vijuar të dobësohet ndjeshëm gjatë kësaj periudhe ndaj Lekut dhe deri më tani, e vetmja masë që ka marrë qeveria për të lehtësuar eksportuesit, është shtyrja e afateve të parapagimit për këstet e tatimfitimit, masë që mesa duket është e pamjaftueshme përballë humbjeve që po pësojnë bizneset.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.