Shqipëria Postuar më 1 Korrik 2026, 12:58

Në vitin 2025 u regjistruan më pak vdekje se një vit më parë/ Mbi gjysma e tyre shkaktohen nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut

Nga Scan TV

Në vitin 2025 u regjistruan më pak vdekje se një vit më

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut vijojnë të mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Gjatë vitit 2025, ato përbënin 52.9% të të gjitha vdekjeve të regjistruara në vend, duke ruajtur të njëjtin nivel si një vit më parë. 

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 21.394 vdekje, ose 3.2% më pak krahasuar me vitin 2024. Edhe norma bruto e vdekshmërisë ra në 910.5 vdekje për 100 mijë banorë, nga 929.8 një vit më parë. 

Pas sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjeve ishte grupi "simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë", me 20.9% të totalit, ku pjesën më të madhe e zënë vdekjet nga pleqëria. Në vend të tretë renditen tumoret, që përbëjnë 15.3% të vdekjeve. 

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 96.7% e vdekjeve kanë ardhur nga shkaqe natyrale. Ndërkohë, aksidentet përbënin 2.2% të rasteve, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2024, ndërsa pesha e vrasjeve dhe vetëvrasjeve mbeti e pandryshuar, përkatësisht 0.2% dhe 0.9%. 

INSTAT evidenton se sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut janë shkaku kryesor i vdekjeve si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Nga ana tjetër, tumoret janë më të shpeshta te meshkujt, ndërsa vdekjet e lidhura me pleqërinë janë më të zakonshme te femrat. 

Ndërkohë, vdekshmëria foshnjore mbeti e pandryshuar në raport me një vit më parë. Në vitin 2025 u regjistruan 106 vdekje foshnjore, me një normë prej 4.7 vdekjesh për 1.000 lindje të gjalla.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat