Bota Postuar më 1 Korrik 2026, 15:05

Irani i rikthehet tregtisë së naftës - Eksporton mbi 40 mln fuçi pas marrëveshjes me SHBA, bien çmimet

Nga Lidion Kulla

Irani i rikthehet tregtisë së naftës - Eksporton mbi 40 mln

Irani ka eksportuar mbi 40 milionë fuçi naftë vetëm në javët e fundit, pas armëpushimit të arritur me Shtetet e Bashkuara, duke ndikuar njëkohësisht edhe në rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Nafta Brent e Londrës tregtohet në rreth 71 dollarë, 40% më poshtë nivelit maksimal prej 118 dollarësh, të arritur në kulmin e konfliktit.

Irani ka eksportuar më shumë se 40 milionë fuçi naftë bruto që prej heqjes së bllokadës detare amerikane, ndërsa çmimi me të cilin shitet nafta iraniane është rreth 20% më i lartë se para luftës. Kështu deklaroi kryetari i Parlamentit dhe negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.

Sipas tij, gjatë dy muajve të bllokadës detare Irani nuk arriti të eksportonte asnjë fuçi naftë. "Që nga dita kur u hoq bllokada detare, kemi eksportuar më shumë se 40 milionë fuçi naftë", u shpreh ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nënshkruan më 17 qershor një memorandum mirëkuptimi për t'i dhënë fund konfliktit që zgjati gati katër muaj, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të nisur një periudhë 60-ditore negociatash për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme paqeje.

Megjithëse gjatë fundjavës pati një përshkallëzim të përkohshëm të tensioneve, pasi Irani sulmoi dy anije që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit dhe të dyja palët shkëmbyen goditje të kufizuara, armëpushimi ka sjellë normalizimin e lëvizjes së anijeve cisternë, në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.

Kompania e monitorimit të transportit detar TankerTrackers.com vlerësoi se Irani ka eksportuar rreth 50 milionë fuçi naftë bruto që nga heqja e bllokadës amerikane, një shifër edhe më e lartë se ajo e raportuar nga autoritetet iraniane.

Rikthimi i eksporteve ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Nafta Brent tregtohej rreth 71 dollarë për fuçi, rreth 40% më poshtë se niveli maksimal prej 118 dollarësh i arritur në kulmin e konfliktit në prill. Analistët vlerësojnë se përparimi diplomatik dhe pritshmëritë për rritjen e furnizimeve nga vendet e Gjirit kanë ushtruar presion në ulje mbi çmimet globale të naftës.

Para luftës, nafta iraniane shitej me një zbritje prej 10 deri në 15 dollarë për fuçi krahasuar me Brentin, për shkak të rreziqeve që lidhen me sanksionet. Sipas analistëve, kjo diferencë është ngushtuar ndjeshëm pas marrëveshjes mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat