Luhatjet në tregjet ndërkombëtare/ AMF miraton udhëzimin për kujdes të shtuar ndaj shoqërive administruese të fondeve të investimeve!
Nisur nga luhatshmëritë në tregjet ndërkombëtare të titujve, si pasojë e efekteve të konfliktit Rusi-Ukrainë, ndikimin në tregun vendas të ndryshimit të normave të interesit, si pasojë e vendimit të Bankës së Shqipërisë për të rritur me 0.5% normën bazë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njofton se ka miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit një udhëzim për shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive.
Sipas informacionit në udhëzim kërkohet kujdes i shtuar dhe marrja e disa masave nga ana e këtyre shoqërive që administrojnë fondet e investimeve ku më konkretisht, rekomandohet që këto shoqëri të rrisin frekuencën e raportimit në Autoritet, duke dërguar informacion javor për shlyerjet neto, raportim mujor për treguesin e likuiditetit, të realizojnë një rivlerësim të të nivelit të treguesit sintetik të përfitimit dhe rrezikut dhe raportimin e tij menjëherë në Autoritet përmes përditësimit të dokumentit me informacionin kryesor për investitorët.
Gjithashtu në udhëzimin e miratuar u kërkohet shoqërive të raportojnë në Autoritet rezultatet e stress-testeve për fundin e muajit mars 2022, të kryera me qasje më konservatore sesa flukset dalëse të muajve të mëparshëm, të tregojnë të kujdes të shtuar në lidhje me nivelin e luhatshmërisë së portofolit dhe nivelin e likuiditetit të Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive. Shoqëritë administruese duhet të marrin gjithashtu në konsideratë përputhshmërinë me sanksionet e vendosura nga shteti shqiptar, në aktivitetin për administrimin e SIK.
Në fund të udhëzimit, Autoriteti u kërkon auditorëve dhe organeve të brendshme të kontrollit të shoqërive administruese t’i kushtojnë vëmendje të veçantë çështjeve që ndikohen nga kjo situatë, si pjesë e veprimtarisë së tyre audituese për marrëdhëniet financiare.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.