Maqedonia e Veriut ndalon eksportet deri në fund të vitit – Ndalohen gruri, mielli, peleti dhe drutë për ngrohje. Hiqet dogana per importin e vajit

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të kufizojë eksportin e produkteve të caktuara dhe heqjen e doganës për importin e vajit për ushqim nga luledielli.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë këto vendime janë miratuar me qëllim për të shmangur veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve, por dhe për të mbrojtur prodhimin vendor, tregun vendas dhe qytetarët, si dhe të ruhet furnizimi në tregun vendor nga rritja e çmimeve.
Në njoftimin për media thuhej ndër të tjera se në kushtet e krizës ekonomike të shkaktuar nga zhvillimet e luftës në Ukrainë dhe ndërprerjet në tregun botëror të grurit, ku regjistrohet mungesë e grurit, është e nevojshme të parandalohen ndërprerjet e mundshme shtesë në tregun e vendit për këto produkte ushqimore bazë të nevojshme për ushqimin e popullsisë.
Gjithashtu, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, qeveria e Shkupit vendosi të kufizojë eksportin e druve për ngrohje dhe peletit deri në fund të vitit. Qëllimi është sigurimi i sasisë së duhur për ngrohjen gjatë dimrit për popullin. Një vendim të tillë e kanë marrë dhe qeveritë e Serbisë, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.