Masa për subjektet që ndotin mjedisin – Kush shkakton dëme të pakthyeshme përjashtohet për 50 vjet nga lejet mjedisore
Subjektet që shkaktojnë dëme të pakthyeshme në mjedis nga veprimtaria e tyre do të përjshtohen nga e drejta e marrjes së lejeve mjedisore për një periudhë 50 – vjeçare”. Propozimi vjen nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që ka nxjerrë për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për lejet e mjedisit”, ku gjithashtu parashikohet masa për shfuqizimin e lejeve që ata disponojnë, qoftë të tipit A apo B.
Në realcionin që shoqëron projektligjin specifikohet se kjo masë vjen duke mbajtur në konsideratë se ligji “Për lejet e mjedisit” ka si qëllim parandalimin, pakësimin dhe mbajtjen nën kontroll të ndotjes së shkaktuar nga disa kategori veprimtarish, veçanërisht nga ato veprimtari të konsideruara si ndotës masivë për shkak të sipërfaqeve të konsiderueshme që mbulojnë apo mbi të cilat mund të ndikojnë, në mënyrë që të arrihet një nivel i lartë i mbrojtjes së mjedisit në tërësi, shëndetit të njeriut dhe cilësisë së jetës.
Sipas nenit të ri, që parashikohet t’i shtohet ligjit, penaliteti për përjashtimin 50 – vjeçar nga e drejta për të marrë leje mjedisi do të vijë në rastet e mospërmbushjes dhe mosrespektimit të kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipave A apo B nga operatori i një instalimi, që dështojnë të kthejnë territorin e veprimtarisë në gjendje të kënaqshme, duke pasur parasysh gjendjen e këtij territori para se instalimi të fillonte veprimtarinë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.