Mbështetja e start-upeve / Ibrahimaj: Mbështetje financiare nga 1.5 deri në 9 milion lekë sipas fazave
Ministrja e shtetit për sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së këshillit të ministrave ka bërë me dije se është firmosur një marrëveshje e rëndësishme e cila lidhet me zhvillimin e ekosistemit të start-upeve.
“Vendimi lidhet me miratimin e kushteve dhe të kritereve për mbështetjen me grante që qeveria i jep start-upeve edhe lehtësuesve. Kjo VKM do të hap rrugën për çeljen e thirrjes për vitin 2024 e cila parashikohet të çelet në datën 16 shkurt, e cila do të mbështesë start-upet në 3 faza të ndryshme të zhvillimit të tyre” tha Delina Ibrahimaj.
“Do të mbështet start-upet që janë në fazën e fillimit me një fond maksimalisht prej 1.5 milion lekësh, ku mund të aplikoj çdo individ i ri, student, nomad digjital i cili nuk është e nevojshme të jetë i regjistruar në QKB por që ka një ide dhe do të gjej financim deri në masën 1.5 mln lekë”, u shpreh ministrja.
“Në fazën e dytë e cila quhet faza e validimit do të mbështeten subjekte të cilat kanë minimalisht një vit që operojnë pra që kanë dorëzuar një palë pasqyra financiare dhe që kanë krijuar një prototip dhe nëpërmjet fondeve duhet ta zhvillojnë prototipin i cili duhet të jetë i tregtueshëm. Kjo kategori biznesi do të mbështetet deri në masën 4.5 milion lekë”, shtoi ministrja.
“Ndërkohë që do të jetë edhe një kategori e tretë, ato që kategorizohen në fazën e rritjes, ku prototipi është zhvilluar, është i tregëtueshëm por ka nevojë për financim që të rritet apo që si objekt aktiviteti të mund të ndërkombëtarizohet, këto lloj subjektesh do të mbështeten me një masë maksimale prej 9 milion lekësh”, tha Ibrahimaj.
Nebi Xhomaqi / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.