Mbi 2200 të papunë “depërtuan” në treg – Nxitja e punësimit, rriten fondet dhe targeti për uljen e papunësisë

Afro 643 subjekte dhe 2,238 punëkërkues të papunë kanë përfituar nga programet e nxitjes së punësimit gjatë vitit që lam pas.
Referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, rreth 45 % e subjekteve u përfshinë në programet e praktikave të punës, ndërsa 44% e punëkërkuesve të papunë përfitues morën pjesë në programin 12 mujor të punësimit. Sa i takon shpërndarjes gjeografike, rreth 59% e numrit të pjesëmarrësve paraqiten në rajonet Tiranë, Durrës, Fier dhe Shkodër.
Numri më i lartë i punësimeve përmes punësimit dhe formimit nëpërmjet punës, rezulton në Industrinë Përpunuese, Akomodimin dhe Shërbimin Ushqimor, Ndërtim dhe Tregti. Praktikat Profesionale u zhvilluan më së shumti në subjekte të cilat kanë si aktivitet ekonomik Shërbimet Administrative dhe Mbështetëse, Administrimin Publik dhe Mbrojtjen, Arsimin, Shëndetësinë dhe Aktivitetet e Mbrojtjes Sociale.
Numri më i lartë i pjesëmarrësve të punësuar me programin 12 mujor paraqitet në Industrinë Përpunuese, Akomodimin dhe Shërbimin Ushqimor, Ndërtim dhe Tregti.
Ndërkohë, referuar projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2023 – 2023 përgjatë 3 viteve të ardhshme nëpërmjet programit “Tregu i Punës” synohet të punësohen në total 7 710 të papunë nga grupet e veçanta, të përfshihen në programet e nxitjes së punësimit të praktikave profesionale rreth 2,250 të rinj të sapodiplomuar në Arsimin e Lartë; të punësohen në total rreth 900 gra kryefamiljare me fëmijë në ngarkim dhe vajza nëna; si dhe të trajnohen nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit rreth 5,100 të papunë të trajtuar më parë me ndihmë ekonomike. Fondi i vënë në dispozicion për tregun e punës planifikohet në rritje gradauale, nga 2.4 milardë lekë që është aktualisht, në mbi 2.6 miliardë lekë në 2025-ën.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.