Mungesa e ujit kërcënon industrinë e çipave – Sa më shumë i avancuar procesi i prodhimit, aq më shumë ujë konsumohet
Prodhuesit globalë të çipave përdorin tashmë po aq ujë sa Hong Kongu, një qytet me 7.5 milionë banorë, duke paralajmëruar se mungesa e ujit kërcënon industrinë dhe mund të rrisë çmimet. Kompani të tilla si ‘Taiwan Semiconductor Manufacturing Company’ – TSMC, prodhuesi më i madh i çipave në botë, janë në rrezik të mungesës së ujit mes ndryshimeve klimatike ndërsa teknologjia e përpunimit përparon. Çipat gjenden në pajisjet e përditshme, nga telefonat inteligjentë te televizorët, dhe gjigandi i teknologjisë TSMC prodhon procesorë të avancuar për kompani si Nvidia dhe Apple.
Megjithatë, industria e prodhimit të çipave është gjithnjë e më e etur, pasi fabrikat përdorin sasi të mëdha uji çdo ditë për të ftohur makineritë dhe për të siguruar që tabletat e silikonit – vaferat, të mos kenë pluhur ose mbeturina. “Ekziston një vijë e drejtpërdrejtë midis përdorimit të ujit dhe kompleksitetit të çipave, pasi prodhuesit përdorin ujë ultra të pastër – ujë të freskët i trajtuar me pastërti jashtëzakonisht të lartë – për të shpëlarë vaferat ndërmjet secilit proces. Sa më i avancuar të jetë gjysmëpërçuesi, aq më tej shkon procesi, aq më shumë ujë konsumohet.
Konsumi i ujit për njësi të TSMC u rrit më shumë se 35% kur u zhvendos në nyjet e procesit 16 nanometër në 2015-ën. Duke pasur parasysh dominimin e TSMC në prodhimin e avancuar të çipave, ndërprerjet e mundshme të lidhura me ujin mund të prishin zinxhirin global të furnizimit të teknologjisë. Firma e shërbimeve financiare, megjithatë, vuri në dukje se dominimi i TSMC e lejon atë të bllokojë kërkesën përfundimtare dhe të kompensojë shitjet më të ulëta të njësive me rritje çmimesh.
Gjigandi i çipeve me bazë në Tajvan prodhon rreth 90% të çipave të avancuar në botë që përdoren për inteligjencën artificiale dhe aplikacionet e llogaritjes kuantike.
Mjaftueshmëria e ujit do të jetë një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në profilet e kreditit të kompanive gjysmëpërçuese. Keqpërdorimi i burimeve ujore mund të prishë funksionimin e një biznesi, të dëmtojë performancën financiare dhe potencialisht të ndikojë në marrëdhëniet me klientët. E gjithë kjo ndërkohë që ndryshimet klimatike rrisin shkallën e motit ekstrem, shpeshtësinë e thatësirës dhe paqëndrueshmërinë e reshjeve, duke kufizuar aftësinë e prodhuesve të çipave për të menaxhuar stabilitetin e prodhimit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.