Nafta, e qëndrueshme poshtë 100 USD – Fitimet kufizohen nga shqetësimet për ngadalësimin e kërkesës

Nafta po tregtohet e qëndrueshme poshtë 100 dollarëve për fuçi edhe në sesionin e sotëm, ndërsa një mbështetje e ka gjetur ka pritshmëritë se Rezerva Federale mund të rrisë normën bazë të interesit, por jo me 100 pikë bazë, siç prisnin analistët.
Megjithatë, në treg vijon të mbizotërojë shqetësimi që ka të bëjë me ngadalësimin e kërkesës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 99 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 96 dollarë për fuçi. Përveç ngadalësimit të kërkesës, një tjetër shqetësim është edhe rritja e infektimeve me Covid-19 në Kinë, që është importuesi më i madh i naftës në botë.
Përpunimi i naftës nga rafineritë kineze ra me rreth 10% gjatë muajit qershor, krahasuar me një vit më parë, ndërsa gjatë gjysmës së parë të këtij viti ra me 6%, rënia e parë që nga viti 2011. Në fokus të tregjeve do të jetë edhe vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Arabinë Saudite, i cili pritet t’i bëjë thirrje vendeve anëtare të OPEC të rrisin prodhimin, për të ulur çmimet e naftës. Megjithatë, disa vende janë pranë kapacitetit maksimal të prodhimit dhe e kanë të pamundur të shtojnë kuotat.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.