Nafta, e qëndrueshme pranë 76 USD për fuçi – Rezervat e naftës bruto në SHBA bien me 1.2 mln fuçi
Çmimet e naftës vazhduan qëndrueshmërinë edhe në sesionin e sotëm, për shkak të të dhënave në SHBA që treguan një rënie të rezervave të naftës bruto, gjatë javës së kaluar. Edhe sinjalizimi i Powell përpara Kongresit se do të ketë të tjera rritje të interesave kanë ushtruar presion mbi çmimet. Normat më të lartë në interesit rrisin kostot e huamarrjes për konsumatorët, gjë që mund të ngadalësojë rritjen ekonomike dhe të reduktojë kërkesën për naftë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në mbi 76 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 72 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, të dyja kontratat u rritën ndjeshëm, pasi çmimet e misrit dhe sojës në SHBA u rritën në nivelet më të larta disamujore, duke rritur pritshmëritë se mungesa e të korrave në botë, do të ulë prodhimin e biokarburanteve.
Referuar të dhënave jo zyrtare në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë me rreth 1.2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 16 qershor. Megjithatë, analistët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Analistët parashikonin një rritje me rreth 300 mijë fuçi.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.