Nafta ngjitet sërish pranë 80 USD – Mbështetet nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme
Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të tensioneve gjeopolitike, ndërsa fitimet po kufizohen nga shqetësimet për ngadalësimin e kërkesës dhe nga dollari i fortë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 80 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në mbi 75 dollarë për fuçi.
Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë me 6.67 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 19 janar, ndërsa rezervat e benzinës u rritën me 7.2 milionë fuçi, një shenjë që kërkesa po ngadalësohet në ekonominë më të madhe në botë. Megjithatë, analistët po presin të dhënat zyrtare që do të publikohen nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
Edhe një dollar më i fortë po ndikon në ecurinë e çmimeve, pasi zotëruesit e monedhave të tjera duhet të paguajnë më shumë për naftën e denominuar në monedhën e gjelbër. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në nivelin më të lartë në 6 javët e fundit, pasi investitorët “çimentuan” pritshmëritë se Rezerva Federale nuk do të shpejtojë me uljen e interesave, përballë një ekonomie elastike.
Për sa i përket zhvillimeve në Lindjen e Mesme, koalicioni i 24 vendeve, i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ka ndërmarrë sulme të reja kundër grupit Houthi në Jemen.
Shtëpia e Bardhë tha se, Houthi, që mendohet se mbështetet nga Irani, ka kryer 26 sulme që nga fillimi i nëntorit ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, nga ku qarkullon rreth 12% e tregtisë globale. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara kryen sulme në Irak, kundër milicisë të lidhur me Iranin, pas një sulmi në një bazë ajrore irakiane që plagosi forcat amerikane.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.