Nafta realizon fitimet e para mujore që nga shtatori – Mbështetet nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe i ftohti në SHBA
Çmimet e naftës kanë realizuar fitimet e para mujore që nga shtatori, gjatë janarit, ndërsa SHBA dhe Irani janë në prag të një konfrontimi më të drejtpërdrejtë në Lindjen e Mesme. Nafta Bruto amerikane dhe nafta Brent e Londrës u rritën me 5.86% dhe 6.06% respektivisht në janar, megjithëse çmimet kanë rënë lehtë gjatë kësaj jave, pasi aktiviteti i fabrikave në Kinë u tkurr për të katërtin muaj radhazi.
Në sesionin e sotëm, ndërkohë, nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 80.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi. Sipas analistëve, të dhënat mbi aktivitetin e fabrikave konfirmojnë se Kina është pengesa e vetme për rritjen e kërkesës globale për naftë. Gjatë muajit janar, çmimet janë mbështetur nga rritja më e fortë ekonomike në SHBA, nga çrregullimi i furnizimit në Detin e Kuq dhe nga i ftohti ekstrem që dëmtoi prodhimin në Amerikë.
Ndër zhvillimet e tjera, rezervat e naftës bruto në SHBA u rritën me 1.2 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa prodhimi u rikuperua deri në 13 milionë fuçi në ditë, sipas Agjencisë së Informacionit të Energjisë.
Ndërkohë, tensionet gjeopolitike janë rritur në Lindjen e Mesme, me Shtetet e Bashkuara dhe Iranin që janë pranë një konfrontimi të drejtpërdrejtë, duke nënvizuar rrezikun e mundshëm të furnizimit të tregut.
Zyrtarët amerikanë deklaruan të mërkurën se Shtëpia e Bardhë po planifikon një “fushatë” që mund të zgjasë disa javë. Objektivat, të cilat ende nuk janë finalizuar, pritet të përfshijnë iranianët jashtë Iranit në disa vende dhe lokacione. Irani e ka mohuar përfshirjen në sulmet që vranë trupat amerikane, por paralajmëroi se do të marrë hapa vendimtarë nëse do të ketë agresion nga Shtetet e Bashkuara.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.