76% e të rriturve në Ballkan kanë një llogari – Mesatarja e Eurozonës është 99%, BB: Rajoni ofron mundësi unike
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende shumë larg standardeve të Bashkimit Europian përsa i përket penetrimit të shërbimeve financiare. Sipas dhënave të Global Findex të Bankës Botërore, rreth 76% e të rriturve në Ballkanin Perëndimor kanë një llogari transaksionesh, nga 99% në Eurozonë. Në këtë linjë, sipas Bankës Botërore pagesat dixhitale mund të ndihmojnë në uljen e kostove dhe zgjerimin e aksesit financiar edhe për rreth 1.9 milionë njerëz, që ende nuk kanë akses në këto shërbime.
Llogaritë e transaksioneve, të cilat mund të përdoren për të kryer ose për të marrë pagesa, shërbejnë si një portë për individët dhe bizneset për të aksesuar shërbime të tjera financiare, qoftë edhe pa pasur një marrëdhënie me një bankë. Pagesat dixhitale mund të lehtësojnë aksesin në financa dhe të kontribuojnë në mbylljen e boshllëqeve, të tilla si pabarazitë gjinore dhe diferencat mes zonave urbane dhe atyre rurale, duke kontribuar kështu në uljen e pabarazisë.
Sipas Bankës Botërore, kushtet aktuale në Ballkanin Perëndimor paraqesin një mundësi unike për rajonin, që të bëjë më shumë drejt pagesave të brendshme dhe ndërkufitare me kosto efikase, me fokus integrimin në Zonën e Përbashkët Europiane të Pagesave (SEPA). Modernizimi i sistemeve të pagesave do të luajë një rol jetik për të siguruar që sektori financiar të mbetet efektiv, i përgjegjshëm dhe në përputhje me nevojat e ndërmarrjeve, sipërmarrësve dhe shoqërisë.
Për të përfituar plotësisht nga këto mundësi, sipas Bankës Botërore është thelbësore që rregullatorët, ofruesit e shërbimeve dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor të bashkohen dhe të zbatojnë reformat e nevojshme. Duke përqafuar modernizimin dhe nxitur bashkëpunimin, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mund të zgjerojnë gamën e shërbimeve të disponueshme për klientët fundorë, duke e pozicionuar rajonin si një lojtar dinamik dhe konkurrues në tregun financiar europian.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.