Ulja e interesave nga FED shtyhet për në maj – Komentet e Powell e rrisin dollarin në nivelin më të lartë në 7 javë
Dollari amerikan është forcuar edhe në sesionin e sotëm dhe është ngjitur në nivelin më të lartë në 7 javët e fundit, pasi presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell, mbështeti idenë se ulja e parë e interesave mund të vijë në muajin maj, duke kundërshtuar pritshmëritë e analistëve se ulja e parë mund të vijë në mars.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.6, pas rritjes me 0.2% në sesionin e kaluar. “Nuk mendoj se komiteti i politikave monetare do të arrijë një nivel besimi për të lehtësuar politikën monetare në mars, por kjo duhet parë”, tha Powell në konferencën për mediat, pas takimit 2-ditor.
Rezerva Federale, siç pritej gjerësisht nga investitorët, e la të pandryshuar normën bazë të interesit në intervalin 5.25% deri në 5.5%. Pas këtyre komenteve, analistët vlerësojnë 38% shanse për një ulje të normës bazë të interesit në takimin e marsit, nga 59% përpara vendimeve të Rezervës Federale. Euro ka zbritur poshtë 1.08 dollarëve në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në nivelin më të ulët që nga 13 dhjetori.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po qëndron në rënie me rreth 1.5%, për të dytën ditë me radhë dhe ka zbritur pranë 42,000 dollarëve, për shkak se investitorët po tërheqin fitimet e realizuara në fillim të javës. Ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 2270 dollarë, në rënie me mbi 1.3%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.