INSTAT objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar – Disa nga sistemet të ndikuara nga sulmi
Nëpërmjet një komunikimi publik INSTAT ka bërë me dije se gjatë ditës së djeshme sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar.
“INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme”, thuhet në njoftim.
INSTAT ka njoftuar se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.