Nafta tregtohet pranë 80 USD për fuçi – Javën e kaluar, çmimet ranë me rreth 8%. Kërkesa po udhëhiqet nga Kina

Nafta është rritur lehtë në sesionin e sotëm, pas humbjeve me rreth 8% gjatë javës së kaluar dhe po tregtohet pranë nivelit më të ulët në 3 javët e fundit. Çmimet janë gjendur nën presion nga dyshimet për rimëkëmbjen e kërkesës në Kinë, por edhe nga forcimi i dollarit amerikan. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi.
Vetëm të premten e javës së kaluar, nafta Brent ra me rreth 3%, pasi të dhënat pozitive mbi punësimin në SHBA rritën shqetësimet se Rezerva Federale mund të vijojë me rritjen e normave të interesit. Ndërkohë që tregjet u dominuan nga shqetësimet për një recesion javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë nënvizoi se rimëkëmbja e kërkesës në Kinë do të jetë një ndër faktorët kyç që do të udhëheqë çmimet.
Agjencia parashikon se, rreth gjysma e rritjes së kërkesës gjatë këtij viti do të vijë pikërisht nga Kina. Ndërkohë, duke filluar nga dita e djeshme Bashkimi Europian dhe vendet e G7-ës filluar zbatimin e tavanit të çmimeve ndaj nënprodukteve të naftës ruse.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.