Nafta zbret poshtë 90 USD – SHBA lehtëson sanksionet ndaj Venezuelës
Nafta i është rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, duke rënë me mbi 1.5%, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lehtësuar sanksionet ndaj Venezuelës, duke lejuar më shumë naftë në tregje. Por, frika se sulmet e ushtrisë së Izraelit në Gaza mund të shkaktojnë një konflikt më të gjerë në rajon, kanë kufizuar humbjet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 90 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 87 dollarë për fuçi. Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një licencë gjashtëmujore që autorizon transaksione në sektorin energjetik të Venezuelës, që është një vend anëtar i OPEC, pasi u arrit një marrëveshje midis qeverisë së Venezuelës dhe opozitës politike për të siguruar zgjedhje të ndershme në vitin 2024.
Marrëveshja nuk pritet të rrisë menjëherë prodhimin e naftës të Venezuelës, por mund të rrisë fitimet duke rikthyer disa kompani të huaja në vend dhe duke ofruar naftën e saj të papërpunuar për një grup më të gjerë klientësh. Nafta u rrit me rreth 2% në sesionin e kaluar, për shkak të shqetësimeve rreth çrregullimit të furnizimit global pasi Irani bëri thirrje për një embargo të naftës ndaj Izraelit. Çmimet u mbështetën edhe nga të dhënat në SHBA, që treguan se rezervat ranë me një hap më të shpejtë se parashikimet e analistëve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.