Ndryshon pas 23 vitesh ligji për sekretin shtetëror – Përfshihen sistemet e komunikimit dhe siguria industriale

Këshilli i Ministrave ka dërguar për miratim në Kuvend një projeltloigj për ri për “Informacionoin e Klasifikuar”. Nisma ligjore është hartuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe ka për qëllim mbrojtjen e informacionit nga humbja, dëmtimi, rrjedhja, komprometimi dhe/ose ekspozimi i paautorizuar.
Përmes këtij ligji të ri, synohet të shfuqizohet ligji ekzistues, i miratuar që në vitin 1999.
Në këtë projektligj përcaktohen parimet bazë dhe rregullat e përgjithshme për krijimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, të NATO-s, të Bashkimit Evropian, të shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Risitë e këtij projektligji janë rregullimi i disiplinave për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar si: “Siguria e sistemeve të komunikimit dhe informacionit” dhe “Siguria industriale”, të cilat nuk kanë qenë të rregulluara në ligjin aktual;
Po ashtu, përcaktohet në ligj se cilat janë autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në sistemet e komunikimit dhe informacionit.
Ligji përcakton gjithashtu përjashtimin e procedurave të verifikimit të sigurisë për Presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrin, të cilët autorizohen të kenë qasje tek informacioni i klasifikuar, për shkak të kryerjes së detyrave të tyre zyrtare.
Për herë të parë është përkufizuar koncepti i pronësisë së huaj, si formë kontrolli apo influencë kërcënuese për sigurinë e informacionit të klasifikuar për llogari dhe në interes të vendeve apo palëve jomike.
Në projektligj nuk parashikohet krijimi i ndonjë strukture të re dhe as i ndonjë institucioni të ri, gjë që do të shoqërohej me efekte financiare për buxhetin e shtetit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.