Nënshkruhen marrëveshjet e financimit: Gjermania dhe BE-ja mbështesin Transportin e Gjelbër në Tiranë!
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtoresha e KfW në Shqipëri, Brit Horschke nënshkruan Marrëveshjet e Financimit për Projektin e Transportit të Gjelbër në Tiranë në vlerën 50 milionë Euro hua, dhënë nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës për Zhvillim KfW, si dhe një grant prej 31.2 milionë Euro, i akorduar nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) për këtë qëllim. Kostoja totale e parashikuar e projektit është 110.37 milionë euro ndërsa pjesa tjetër e financimit do të mbulohet nga Bashkia e Tiranës, në vlerën 29.17 milionë Euro.
Sipas njoftimit projekti përfshin zbatimin e një sistemi tranziti të shpejtë me autobus (Bus-Rapid Transit-BRT), duke përdorur autobusë me bateri-elektrikë në tre linja transporti në Tiranë (Unaza, Tirana e Re, Kombinat-Kinostudio). Qëllimi i projektit është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve në transportin publik si dhe reduktimi i emetimeve të CO2. Kjo për të kontribuar në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, si dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë.
Nëpërmjet këtij projekti synohet:
- Garantimi i një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, miqësore me mjedisin, si dhe me kosto të pranueshme në raport me sistemet e tjera me kapacitet të lartë të transportit.
- Zgjerimi dhe shtrirja e rrjetit të transportit publik, rritja e përdorueshmërisë së tij, si edhe po ashtu rritja e efektivitetit në shërbimin e transportit.
- Reduktimi i ndotjes mjedisore;
- Reduktimi me 20% i kohës së udhëtimit;
- Rritja e shpejtësisë së lëvizjes në linjat e reja të transportit, falë sistemit të korsive të dedikuara dhe mënyrës së menaxhimit.
Projekti vjen në kuadër të masave të ndërmarra nga Qeveria për arritjen e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm dhe në mbrojtje të klimës dhe parashikohet të përfundojë implementimin në fund të vitit 2029.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.