Nga Berlini në Bruksel, “ecejaket” e rajonit – Rruga e gjatë e Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE
Që pas viteve ’90, vendet e Ballkanit Perëndimor u përpoqën të kapnin trenin që të çonte në Europë por ky rrugëtim po zgjat pafundësisht. Disa nisma janë ndërmarrë për këtë qëllim dhe të tjera po publikohen edhe sot në fillim të vitit 2024.
28 gusht 2014, nis “Procesi i Berlinit”
Kancelarja gjermane Angela Merkel priti në Berlin, në 28 gusht 2014, një Konferencë të Nivelit të Lartë mbi Ballkanin Perëndimor, ku shpalli vizionin e saj për këto vende.
“Të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor duhet të kenë mundësinë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian nëse përmbushin kërkesat e anëtarësimit”, – deklaroi Merkel në konferencën për shtyp pas takimit, me Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso dhe kryeministrin Edi Rama.
Në terma të përgjithshme, “Procesi i Berlinit” ishte një nismë politike shumëpalëshe midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me një kohëzgjatje deri në vitin 2018 edhe pse disa angazhime politike shkuan përtej afatit kohor të dakordësuar. Gjatë kësaj kohe, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çonin përpara përpjekjet e tyre reformuese, drejt një demokracie të vërtetë dhe ekonomie tregu funksionale, të përfundonin procesin e pajtimit dhe të përmirësonin bashkëpunimin ekonomik rajonal, si bazë për një rritje të qëndrueshme dhe mirëqënie.
Krerët e Ballkanit Perëndimor perceptuan pozitivisht sinjalin e fortë politik të dërguar nga Kancelarja Merkel, duke qënë se “Procesi i Berlinit” ofronte një mundësi të mirë për të çuar përpara procesin e integrimit, si në nivel rajonal edhe në atë evropian. Ky proces nuk zëvendëson procesin e anëtarësimit në BE, pasi ai është konceptuar si një instrument përforcues në shërbim të perspektivës së anëtarësimit në BE dhe të lidhjeve ekonomike dhe politike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Evropian, e tetorit 2014, është dokumenti i parë i identifikuar që iu referua këtij procesi. Ajo theksonte se “Procesi i Berlinit” mund të jetë i dobishëm për nxitjen e reformave dhe dakordësim për prioritetet reale të investimeve kryesore të ndërlidhjes. Ai mund të veprojë gjithashtu si një levë në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe të mbetura pezull.
“Procesi i Berlinit” theksonte ndër të tjera, nevojën për të forcuar qeverisjen ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, në linjë me qasjen e re të Komisionit Evropian. Gjithashtu, ai nënvizonte nevojën e vendeve të rajonit për tregje të hapura dhe rritje të investimet të huaja direkte, ulje të deficiteve të llogarive rrjedhëse, forcim të sigurisë juridike dhe mundësim të një klime positive për investimet. Në Samitin e Vjenës, krerët e Ballkanit Perëndimor ranë dakord për t’i dhënë fund, përpara mesit të 2016, negociatave aktuale në CEFTA mbi Marrëveshjen për Lehtësimin e Tregëtisë dhe për të nxitur më tej zhvillimin e zinxhirit rajonal të vlerave. Ata theksuan gjithashtu nevojën dhe njohën rëndësinë e përfshirjes së partnerëve socialë në procesin e reformës ekonomike.
Në këtë kuadër, nën mbështetjen teknike të Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord të përgatisin çdo vit Programet Kombëtare të Reformave Ekonomike, duke përfshirë si programin makroekonomik dhe fiskal dhe programin e reformave strukturore dhe konkurrencës.
Gjatë Samitit të Vjenës, qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor prezantuan një agjendë konektiviteti ambicioze, me 50 projekte në kërkim të bashkëfinancimit. Por, numri i projekteve të maturuara në listën e atyre prioritare strategjike u reduktua në 10, katër projekte energjetike dhe gjashtë infrastrukture.
Në Vjenë, Shqipërisë iu aprovua për bashkëfinancim vetëm një projekt, linja e interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Manastir. Ky përbën projektin energjetik më të rëndësishëm dhe kosto e parashikuar ishte 129 milionë euro. Investimi në territorin shqiptar i linjës së transmetimit kushtonte 70 milionë euro. Ky investim i përbashkët ishte pjesë e nismës së Komisionit Evropian për të ndërtuar një korridor energjetik transmetimi lindje-perëndim, midis Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë.
Që nga ajo periudhë e deri më sot kaluan vite me radhë dhe shpejtësia me të cilën po ecte kjo nismë linte për të dëshiruar.
10 tetor 2019, idea për një “Ballkan të Hapur”
Planet për krijimin e “Open Balkans” u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku fillimisht nisma u quajt “Mini-Shengen”. Më pas u zhvilluan dy takime të tjera të liderëve të tre vendeve (Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut) më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë.
Më 21 dhjetor 2021 në Tiranë, Rama, Vuçiç dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen trepalëshe për lehtësimin e tregtisë, kafshëve të gjalla dhe njohjes së ndërsjellë të dokumentacionit të lëshuar nga organizmat zyrtare të akreditimit dhe kalimit tranzit të mallrave midis tre shteteve, që ishte nënshkruar më parë në Shkup. Në këtë takim, u theksua se Ballkani i Hapur shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunimin rajonal.
Më 8 qershor 2022 në Ohër, u zhvillua samiti i radhës për këtë nismë, që tashmë mbante emrin “Ballkani i Hapur”. Në këtë takim, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave. Pjesë e kësaj nisme ishin vetëm tre vendet e mësipërme, pasi Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina hezituan t’i bashkohen. Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet për këtë iniciativë edhe pse Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte se Beogradi dhe Prishtina do t’i bashkoheshin “mini-schengen”. Kurse, Bosnje-Hercegoniva dhe Mali i Zi pavarësisht ftesave janë deklaruar se do të mbeten spektatore. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Por, më 1 korrik 2023, kryeministri Rama, deklaroi mbylljen e Ballkanit të Hapur, pasi sipas tij, kjo nismë lindi për të çuar përpara “Procesin e Berlinit” dhe ky mision ishte kryer. Përfundimin e “Ballkanit të Hapur”, Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës.
Rikthimi te “Berlini” dhe plani i ri i Ballkanit
Pas ndarjes nga “Ballkani i Hapur”, Më 16 tetor 2023 u zhvillua në Tiranë samiti i “Procesit të Berlinit”, i dhjeti në serinë e samiteve të tilla dhe i pari në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një vend jo anëtar të BE. Katër objektivat e Procesit të Berlinit, të deklaruara që në fillim të tij mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe krijimi i një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit. Por, një nga sfidat kryesore në këtë proces konsiderohet mungesa e vullnetit politik, e cila e pengon ndjeshëm potencialin për progres.
Gjatë samitit, krerët e Bashkimit Evropian e vunë theksin te plani i rritjes që ka Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe te qëllimi kryesor i Unionin që është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evorpian, duke theksuar se për të përfituar duhen reforma.
Së fundmi, më 22 janar 2024, me iniciativë të BE dhe SHBA, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u takuan në Shkup për të diskutuar reformat e nevojshme që duhet të ndërmarrin, për të përfituar nga plani i rritjes së BE-së. Për këtë qëllim Brukseli paraqiti një “Plan të ri për Ballkanin”.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.