Varhelyi: 6 miliardë euro për rajonin – Ballkani Perëndimor mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha sot se përmes planit të ri të rritjes, vendet e Ballkanit Perëndimor nëse ndjekin dhe zbatojnë çdo element të tij, do ta kenë të vështirë që pas vitit 2027 të thonë se nuk janë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, në përfundim të samitit Ballkani Perëndimor-BE për planin e rritjes, të zhvilluar në Tiranë, Varhelyi u shpreh se procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur kanë qenë nisma të rëndësishme sa i takon frymës për tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe mbi të cilin bazohet edhe plani i rritjes, i cili tashmë duhet të nisë nga zbatimi.
Ai tha se rajoni mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt.
“Kjo do të thotë që ne nuk është se po negociojmë me terma abstrakte, që si dhe kur pas anëtarësimit do të fillojnë të aplikohen rregullat dhe standardet e BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor, jo! Këto fonde për të cilat po flasim, po fillojnë të aplikojnë këto rregulla që sot, me qëllim që kur të kemi arritur tek anëtarësimi të jetë kryer, dhe kur të arrijmë në këtë gjë s’do flasim më për këto rregulla dhe mënyra funksionimi”, tha Varhelyi.
Sipas tij, sot për vendet e Ballkanit Perëndimor është shumë e vështirë të përballen me konkurrencën që ka brenda tregut evropian, prandaj dhe lipset aplikimi i këtyre rregullave që po flasim sot, që brenda vitit 2027 rajoni i Ballkanit të jetë gati.
“Ne jemi të gatshëm ta lehtësojmë këtë punë dhe të zbusim këtë kosto. Për këtë arsye BE ka vendosur të miratojë planin pa asnjë ndryshim nga ai që kemi çuar ne. Ne jemi të mendimit që 6 miliardë euro duhet të ndihmojnë rajonin, që kjo është sasia e fondeve që u jepet shteteve anëtare sipas fondeve strukturore. Deri në vitin 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin nivel intensiteti ndihme. Kjo do të thotë gjithashtu, që do të jetë shumë e vështirë, që pas vitit 2027 vendet e rajonit të thonë s’jemi gati për t’u bërë pjesë e BE”, nënvizoi ai.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.