Ngec Bursa, AMF asistencë nga Departamenti i Thesarit të SHBA – Synim, emetimi i aksioneve të kompanive me kapital shtetëror dhe njësive vendore
Departamenti Amerikan i Thesarit po asiston Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare për emetimin e aksioneve nga ana e kompanive shtetërore apo njësive të qeverisjes vendore. Burime zyrtare nga AMF kanë pohuar për Scan TV se ekspertët amerikanë po bashkëpunojnë ngushtë për mundësimin e këtij projekti. Sipas Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, po vlerësohet mundësia për të ofruar mbështetje teknike me qëllim nxitjen e emetimit të instrumenteve të borxhit nga kompanitë me kapital shtetëror, apo njësitë e qeverisjes vendore, për të financuar projektet e tyre të zhvillimit.
Ky, sipas AMF, është hapi i parë drejt një projekti ku Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të bashkëpunojnë në zbatim të Dokumentit Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”.
Ekspertët e Departamentit Amerikan të Thesarit po bashkëpunojnë me autoritetin që prej mesit të nëntorit. Ata zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të Autoritetit, të institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe me grupe të tjera të interesit.
Në këto takime, ekspertët e Zyrës së Asistencës Teknike (OTA) vlerësuan harmonizimin e kuadrit ligjor e rregullator të tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së me direktivat e Bashkimit Evropian, si edhe me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre tregjeve.
Asistenca teknike fokusohet në dy drejtime kryesore: në fushën e sigurimeve dhe në atë të tregjeve të kapitalit. Në tregun e sigurimeve, asistenca synon forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, përmirësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, rritjen e standardeve për mbrojtjen ndaj rreziqeve kibernetike, si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve për produktet dhe shërbimet financiare.
Bursa Shqiptare e Titujve, për herë të parë në verën e këtij viti ka listuar një kompani private, e cila emetoi obligacione nëpërmjet ofertës publike.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.