Numër rekord të pastrehësh në Britaninë e Madhe – Nga janari në mars 2022 janë dëbuar nga shtëpitë 6400 familje

Një numër rekord personash në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë të pastrehë si pasojë e dëbimit nga shtëpitë e marra me qera. Lajmi konfirmohet nga një raport i publikuar nga qeveria britanike. Rreth 6400 familje në Britaninë e Madhe janë nxjerrë nga shtëpitë nga pronarët mes janarit dhe marsit 2022. Kjo është shifra më e lartë që nga fillimi i regjistrimit në vitin 2018. Të gjitha këto dëbime kanë qenë të pajustifikuara nga pronarët e shtëpive, një praktikë që është ende e ligjshme në Britaninë e Madhe por e ndaluar në shumë vende europiane.
Shifra aktuale thyen rekordin e mëparshëm të 2020-ës, kur 4.740 familje u larguan pa justifikim nga banesat e tyre dhe u detyruan të largohen.
Qeveria britanike po planifikon për ndalimin e kësaj praktike. Por ekzekutivi është në krizë pas dorëheqjes së Boris Johnson dhe gara për kryeministrin e ri të vendit po vazhdon ende.
Situata për këto familje rëndohet dhe më shumë në momentin që qeratë vijojnë të rriten dhe buxheti i tyre tkurret. Aktivistët në mbrojtje të familjeve që rrezikojnë të jenë të pastreha kërkojnë që një nga prioritetet e qeverisë së re të jetë dhe ndalimi i praktikës në mënyrë që qytetarët të mbrohen nga trauma dhe pasojat që shkakton dëbimi pa asnjë justifikim nga banesa.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.