Rritet me 0.7% ekonomia në eurozonë – Tremujori i dytë jep sinjale pozitive, pavarësisht krizës së gazit dhe inflacionit

Rritja në ekonominë e eurozonës u përshpejtua në tremujorin e dytë të këttij viti, por rajoni parashikohet të ketë goditje në momentin që Rusia vazhdon të reduktojë furnizimin me gaz.
Blloku 19-anëtarësh regjistroi një normë të produktit të brendshëm bruto prej 0.7% në tremujorin e dytë, sipas Eurostat, zyrës së statistikave të Europës, duke mposhtur pritshmëritë për rritje prej 0.2%. Kjo vjen pas një norme të PBB-së prej 0.5% në tremujorin e parë.
Numrat janë në kontrast të fortë me leximet vjetore negative nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tremujorin e parë dhe të dytë, pasi eurozona vazhdon të përfitojë nga rihapja e ekonomisë së saj pas pandemisë.
Megjithatë, një numër në rritje i ekonomistëve presin që zona e euros të rrëshqasë në një recesion vitin e ardhshëm, me Nomura, për shembull, që parashikon një tkurrje vjetore prej 1.2% dhe Berenberg që paralajmëron një ngadalësim prej 1%.
Edhe Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka pranuar se një recesion mund të jetë në horizont, nëse Rusia ndërpret plotësisht furnizimin me gaz të rajonit.
Zyrtarët në Europë janë gjithnjë e më të shqetësuar për mundësinë e një mbylljeje të furnizimit me gaz, me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen që thekson se Rusia po “shantazhon” rajonin.
Gazprom, gjigandi energjetik i Rusisë, reduktoi furnizimet me gaz në Europë përmes tubacionit Nord Stream 1 në 20% të kapacitetit të plotë këtë javë. Në përgjithësi, 12 vende të BE-së po vuajnë tashmë nga ndërprerje të pjesshme në furnizimin me gaz nga Rusia.
Komisioneri Europian për Ekonominë Paolo Gentiloni tha se shifrat e fundit të rritjes ishin “lajm i mirë”.
Leximet e PBB-së vijnë në një kohë inflacioni rekord në zonën e euros. Banka Qendrore Europiane rriti normat e interesit për herë të parë në 11 vjet në fillim të këtij muaji në një përpjekje për të ulur çmimet e konsumit.
Megjithatë, inflacioni në rritje i rajonit po nxitet nga kriza energjetike, që do të thotë se reduktimet e mëtejshme të furnizimeve me gaz rus mund të rrisin çmimet edhe më shumë.
Eurostat publikoi gjithashtu shifra të rivlerësuara të inflacionit të premten, duke e vendosur inflacionin vjetor në 8.9% në korrik, nga 8.6% në qershor.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.