PBB ngjitet me 3.46% në tremujorin e tretë – “Administrata Publike” dhe “Real Estate” stimuluan rritjen ekonomike
Produkti i Brendshëm Bruto vlerësohet më rritje përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti, sipas të dhënave më të fundit nga “Instituti i Statatistikave”. Kjo rritje fiksohet në 3.46%, krahasuar me të njejtin tremujor të vitit të kaluar
Ekonomia në vendin tonë përgjatë vitit 2023 pati një performancë pozitive që u stimulua nga rritja e të ardhurave në sektorët kryesorë të saj. Sipas të dhënave më të fundit nga “Instituti i Statatistikave” në tremujorin e tretë të vitit aktual Produkti i Brendshëm Bruto ka shënuar rritje me 3.46% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Konsumi i popullatës u rrit gjithashtu me vetëm 2%, nga 4.18% që rritej në tremujorin e dytë të vitit.
Shifrat tregojnë se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023 “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” janë zërat që regjistrojnë kontributin më të lartë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 1.2 pikë përqindje dhe pas tyre renditen “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” me 0,68 pikë përqindje, dhe “Ndërtimi” me 0.45 pikë përqindje respektivisht. Po ashtu, kontributi ka qenë i konsiderueshëm edhe nga zërat si: “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me 0.43 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni” me 0.26 pikë përqindje,“Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me 0.24 pikë përqindje dhe ”Arte, argëtim dhe çlodhje” me të njëjtën rritje. Ndërkohë, kontributi ka qenë minimal nga zëri “ Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” me 0.09 pikë përqindje. Nga ana tjetër, negativisht kontriboi grupi i zërave: “Industri, Energji dhe Uji” me 0.34 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me 0.17 pikë përqindje.
“Scan Intel” ka përpunuar dhe analizuar të dhënat për të kuptuar sesi kanë ndryshuar degët kryesore të ekonomisë. Shifrat tregojnë se aktivitetet që paraqitën rritje ishin si më poshtë: Aktiviteti i Ndërtimit me rritje 4.72%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me 0.77%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8.97%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit u rrit me 4.50%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme me 12.20%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative me 7.55%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq po ashtu me rritje prej 11.18%, rritje kjo e njëjtë në vlerë me grupin e aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje”. Nga ana tjetër, Aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi rënie prej 0.50%. Po ashtu rënie pati edhe Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit me 2.89%.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.