“Periudhë tranzicioni për dinarin serb” – Kurti: Monedha zyrtare e Kosovës është Euro
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e BQK – së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e vendit. Ai theksoi se monedha zyrtare është euro dhe bëri apel që të mundësohet një tranzicion i qetë i masave demokratike.
Në një deklaratë zyrtare ai sqaron se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka si objektiv dinarin serb. BQK ka kërkuar, që transaksionet joformale që kryhen në dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre konsiderohen të paligjshme. Kreu i ekzekutivit përsëriti se monedha zyrtare e Kosovës është Euro dhe rregullorja vjen thuajse 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Ndërsa posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm. Për më tepër, hapja dhe mirëmbajtja e llogarive të reja bankare në Euro do të jenë pa pagesë. Periudha e tranzicionit ka filluar tashmë dhe përpjekjet e përbashkëta do të sigurojnë shpejtësinë dhe lehtësinë e saj, vazhdon më tej Kurti. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi në 1 shkurt, kryeministri Kurti tha se një periudhë tranzicioni konsiderohet e nevojshme.
Nga ana tjetër, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili priti në takim Ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës e Kosovës, Nenad Rashiq.
Guvernatori Ismaili u shpreh se rregullorja e BQK nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK. Prandaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore.
Gjithashtu, Guvernatori Ismaili e njoftoi Ministrin Rashiq se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.