Po krijohet një superfuqi e re – Tregu i drithërave mirëpret rritjen e çmimeve
Tregu i drithërave mirëpret rritjen e çmimeve. Për këtë kontribuoi më së shumti frika nga rreziku dhe incidenti në Detin e Zi, ku një anije mallrash turke u dëmtua lehtë kur u përplas me një minë pranë portit rumun.
Shqetësimet në rritje për të korrat në hemisferën jugore dhe mungesa e reshjeve mund të zvogëlojë rendimentet në Australi dhe Argjentinë.
Shoqata europiane e tregtisë së drithërave “Coceral” uli vlerësimin e prodhimit të grurit për këtë vit në Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe në 141 milionë ton, krahasuar me pritshmëritë e qershorit.
Në BE, vlerësimi u reduktua në 126.9 milionë ton, që është nën prodhimin e vitit të kaluar prej 128.6 milionë. Në të njëjtën kohë, nga Ministria ruse e Bujqësisë u bë e ditur se deri në fillim të tetorit, nga 88% e sipërfaqes ishin korrur 89 milionë tonë grurë. Një lajm që shkaktoi rritjen e çmimeve në bursa.
Çmimi i grurit në bursën e Parisit ishte 236 euro për ton për kontratat e dhjetorit. Në bursën në Çikago, çmimet e grurit për kontratat e dhjetorit u rritën me mbi 3%. Një ton kushton 201.4 euro. Këtë trend e ka ndjekur misri, i cili kushton 185.65 euro për ton, ndërsa soja kushton 446.08 euro.
Përpunuesit në Argjentinë mund të mbeten pa sojë, si lëndë e parë, për shkak të thatësirës. Ndërsa Brazili, që po bëhet superfuqia kryesore në botë në prodhim dhe eksport, është i ri në tregun e drithërave dhe farave vajore. Deri më tani ishte eksportuesi më i madh i sojës, por në 2022/23, me një eksport të vlerësuar prej 50 milionë tonë misër fitoi pozitën udhëheqëse.
Prodhimi i përgjithshëm i misrit arriti një rekord të ri prej 131.9 milionë ton, që është 16.6 % më shumë se vitin e kaluar.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.