Presidenti i Republikës, procesi nis më 10 maj – Balla, opozitës: Afat deri në datë 15 për kandidaturat. Në 16 votohet raundi i parë
Partitë politike parlamentare kanë arritur të mërkurën dakordësinë që procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës të nisë zyrtarisht më 10 maj, ndërkohë që Partia Socialiste ka vendosur kusht që opozita të ketë gati kandidaturat brenda datës 15, për t’ju nënshtruar votimit një ditë më pas.
Grupi i punës së ngritur nga mazhoranca, i përbërë nga Taulant Balla, Damian Gjinkuri dhe Elisa Spiropali, ka mbledhur propozimet e deputetëve të PS-së të cilët kanë dorëzuar një zarf, me 3 emra kandidatësh.
Veprim që u vu në pikëpyetje nga përfaqësuesja e PD, Grida Duma, sipas së cilës, zarfet e mbyllura e bëjnë procesin jo transparent. Deri tani mazhoranca ka qenë e vetmja që ka kryer një proces për përzgjedhjen e emrave të kandidatëve, ndërkohë që i ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës të vijnë me propozime konkrete dhe jo me kërkesa për ndryshim procedure.
Përfaqësuesit e mazhorancës përsëritën se preferojnë një emër konsensual, për të mos shkuar në dy raundet e fundit, të cilët parashikojnë zgjedhjen e kreut të shtetit me 71 vota, në rast se tre të parët me shumicë të cilësuar dështojnë.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.