Projektet e reja të transportit – Zajkonsek në Tiranë: Për herë të parë, Ballkani do lidhet me 8 vende të BE
Hartat e reja të transportit parashikojnë krjimin e korridorit të Ballkanit Perëndimor dhe Mesdheut Lindor, duke mundësuar që për herë të parë vendet e Ballkanit të lidhen me 8 vende të Bashkimit Evropian. Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, prezantoi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese raportin për Shqipërinë, duke e vënë theksin te projektet që pritet të zhvillohen në vijim.
“Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që të ketë një legjislacion transevropian, harta të reja transevropiane dhe pjesë e kësaj do jetë për herë të parë edhe ky korridor i ri. Ky korridor është për herë të parë i lidhur me 8 vende të BE-së, duke nisur nga Austria, Italia, Hungaria, nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë dhe do vazhdojë te vendet e Ballkanit Perëndimor. Ju do shikoni lidhjet e tyre me Podgoricën, Durrësin, Tiranën dhe lidhjet detare me Barin, Bullgarinë, Greqinë, në drejtim të Qipros. Kjo do të garantojë që projektet e reja do të lëvrohen sipas standardeve të BE-së”, – tha Matej Zajkonsek, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit.
Sipas tij, Shqipëria duhet të fokusohet në zhvillimin e rrjetit hekurudhor në vitet në vijim, teksa bëri me dije fazën në të cilën ndodhen disa projekte që bashkëfinancohen nga Bashkimi Evropian.
“90% e rrjetit hekurudhor nuk është në gjendje të mirë. Për këtë aryse ne ju mirëpresim për të investuar në mënyrë të vërtetë në rrjetin hekurudhor në vend. Te projektet për Shqipërinë për hekurudhat, ne shikojmë lajmin e mirë, që punët janë duke vazhduar sidomos në linjën Tiranë – Durrës. Këtu përfundimi mund të jetë në pak vite. Projekti i dytë është Vorë – Hani i Hotit, 125 km. Tenderi do shpallet në muajt që vijnë dhe i fundit është Durrës – Rrogozhinë ku jemi në fazën e përgatitjes së projektit”, – bëri me dije drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit
Zajkonsek e vendosi theksin edhe te nevoja e lidhjes së aeroporteve me rrjetin hekurudhor, si dhe te mirëmbajtja e rrugëve apo hekurudhave pas investimit në ndërtimin e tyre. Komuniteti i Transportit përbëhet nga 33 anëtarë, 27 prej të cilëve janë vendet e Bashkimit Evropian dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.